Tuesday, May 12, 2020

Prejardhja e emrave Himarë e Dhërmi

Para se të analizojmë dokumentimin dhe prejardhjen e emrave Himarë e Dhërmí duhet të mbajmë parasysh disa fakte historike, të cilat na ndihmojnë të orientohemi drejt në shqyrtimin e problemit që do të trajtojmë në vazhdim.

Dy emrat e sipërm sot emërtojnë dy vendbanime që ndodhen në Shqipërinë e Jugut. Në lashtësi ata i përkisnin pjesës më veriore të krahinës së quajtur Epir. Pa dashtë të hyjmë në analiza të thella për emrin Epir, theksojmë se këtë punë e ka bërë në mënyrë shkencore të mirëfilltë prof. Sh. Demiraj në veprën e vet Epiri, pëllazgët, etruskët dhe shqiptarët. Ndërkaq, ne duam vetëm të ripërsërisim atë që kemi thënë në punimin Në kërkim të gjurmëve ilire: “Nën termin ilir ne kemi përfshirë edhe Epirin. Këtë jo vetëm pse dijetarët e vendit dhe shumica e dijetarëve të huaj janë shprehur për përkatësinë ilire të fiseve epirote, por edhe pse në një pjesë të asaj treve sot banojnë shqiptarë. Kërkimet tona në fushën e onomastikës etj. (shiko Vëzhgime SF 2, 1972; Mbi disa krahasime SF 2, 1977 si edhe punimi në vijim) japin prova të tjera në këtë drejtim.”

Së dyti, të përmendim një tjetër fakt historik më rëndësi, pushtimin e më pas shkatërrimin e plotë të kësaj krahine nga romakët në vitin 167 para Krishtit, në fundin e luftës së tretë Iliro-romake. Në Historinë e Shqipërisë shkruhet: “Pushtimi romak u shoqërua me plaçkitje e shkatërrime të mëdha. Me lejen e Senatit konsulli romak Pal Emili grabiti pa mëshirë popullsinë e Epirit dhe arin e argjendin e mbledhur ia ndau ushtrisë. Me urdhrin e tij u shkatërruan deri në themel 70 qytete të Epirit dhe 150 000 njerëz u kthyen në skllevër.” Bash për këtë arsye gjurmët e lashtësisë në emrat e vendeve në këtë trevë janë më të pakta se ndër krahinat  e tjera, ku banonin fiset ilire.

-A përmendet Himara te vepra “Odiseja” e Homerit? Diskutimi mbi këtë çështje nuk është i ri. Së pari, ngjan ta ketë vënë re këtë fakt François Pouqueville, konsulli i francezëve në Janinë te Ali Pashë Tepelena, në veprën “Udhëtime nëpër Greqi”. Sh. Demiraj, në veprën e përmendur më lart, shënon se ky fakt “... nuk është fort i qartë”. Bëhet fjalë këtu për këto vargje:

...nga perëndimi,/ kur rrugët i mbulojnë hijet e natës, /arritëm në kufijtë e oqeanit, /ku truall e banesa kanë kimerët. /Jeton ky popull krejt mbuluar me mjegull /Edhe me re...

Në burimet antike emri i Himarës del me gjasë së pari te Plini (Secundi), që jetoi në shek. I pas Krishtit. Në veprën e tij “Historia e natyrës” (Natyralis Historiae), shkruhet: “Në bregdet të Epirit kështjella e Himarës mbi malet e Akrokeraunit.”

Do ta përmendë sërish këtë emër Prokopi i Cezaresë në veprën “Mbi ndërtimet” (De Aedificis), në grupin e fortesave të ndërtuara në Epirin e vjetër (Himairai).

Do ta gjejmë emrin e Himarës edhe te Virgjili në trajtën Chimaera me shënimin e Fjalorit. “Chimera, montagna di Licia, la quale getta fuoco: nella cima di essa abitano leon., nel mezzo capre e alle radici serpenti. Onde è nata la favola, esser la Chimera un mostro che vomita fiamma, che ha la testa di leone, il ventre di capro, la coda di dragone”. Këtu edhe banorët Chimaerēus.

Te Tacidi gjejmë të njëjtin emër (Chimaera), po tani me shpjegimin “Chimera, citta in Epiro, tra monti della Chimera”.

Në veprën “Historitë”, autori grek Tukididi, që ka jetuar në shek V. para Krishtit, përmend  Kheimérion “promontorio dell’Epiro, ora Soracinico”. Ngjan që po i njëjti emër si më sipër del edhe te Stefan Bizantini (shek. VI pas Krishtit) në veprën “Mbi qytetet dhe popujt” (De urbibus et populis), ku shkruhet: Heimerion  “kep i Thesprotisë. Emri grek Heimeries ...”.

Te vepra Përshkrimi i Greqisë e shkrimtarit grek Pausania, që jetoi në shek. II pas Krishtit, jepet një njoftim tepër interesant për Himarën, sepse tani ky emër përmendet si hyjni: “Pranë të ashtuquajturit Hipodam është vendosur një bazament tjetër prej mermeri në trajtë gjysmë rrethi, në të cilën gjendet Zeusi dhe Thetis e Himera që i luten atij për të bijtë.”

Emri i Himarës përmendet rregullisht edhe në mesjetë. Në një dokument  të vitit 1020, shkruar në greqishte, jepet: “Peshkopi i Himarës (Himairas)”. Në një dokument tjetër (viti 1396), shkruar në latinishte, del në trajtën Cimera.

Në analizën e prejardhjes së emrit Himarë, duke u nisur nga trajtat që dalin në antikitet, mund të nxirren disa përfundime. Së pari, kemi një vend që quhet Chimaera dhe Kheimérion. Më pastaj një Kheimérion, kep në Thesproti. Gjithashtu një Himairai fortesë në Epirin e vjetër. Po ajo që paraqet interes është dalja e këtij emri si perëndi, krahas Zeusit e Thetis. Ngjan që ky emërtim ka lidhje edhe me malin e quajtur Chimera, që Virgjili e vendos në Licí, mal ky që nxjerr flakë e ku ka gjarpërinj e dragoj etj.

Në qoftë se në të gjitha rastet (përkat. trajtat) e përmendura më lart njësohet i njëjti emër, atëherë mund të mendohet se, ose kemi një emër perëndie të hershme vendëse, që gjallon në ato troje, ose emrat paraqesin një apelativ, me të cilin vendësit kanë emërtuar vende, male etj. Natyrisht është vështirë të shpjegohet kuptimi i këtij emri. Ndërkaq, zhvillimi i tij nga autorët e vjetër e deri më sot mund të vështrohet për të parë se në gojë të kujt ka kaluar ky që nga lashtësia e deri në ditët tona. Për këtë duhen marrë në analizë dy trajta: Chimaera dhe Kheimérion. Një ch- nistore e latinishtes ngjan jep qartë tingullin h të shqipes. Këtë e përforcon edhe trajta e greqishtes, ku një kh- reflektohet në h- (khs. këtu fjalën hir, të cilën E. Çabej e bie nga greq. háris “hir”, duke miratuar kështu mendimin e shprehur më parë te Miklosichi). Diftongu -ei- te trajta e greqishtes Kheimérion pajton në refleksin e tij me diftongun indoevropian -ei-, i cili në shqipe reflektohet në -i-; khs. këtu analizën e fjalës dimër, për të cilën ndërtohet një rrënjë indoevropiane *ĝhei-men ĝhei-mn e ku merret për krahasim edhe greq. kheima  “dimër”. Një ae latine në shqipe mund të përfundojë edhe në a. Ndërkaq, me interes është edhe fundoria -a te trajta Chimaera, që mund të reflektojë nyjën e prapme -a të gjinisë femërore.

-Dhërmí-u, vendbanim në bregdetin jugor të Shqipërisë, përmendet mesa dimë ne, vetëm një herë te vepra e Cezarit “Lufta civile” (Caesar Bell. civ. libri III, VI, 3 "... Postridie terram attigit Germiniorum") në trajtën GERMINII.

Në versionin e përkthyer te Ilirët dhe Iliria te autorët antikë kjo pjesë (nuk di sepse), është dhënë: "Ndërmjet shkëmbinjve të maleve Keraune ...", duke e zëvendësuar kështu emrin e sipërm. Kuptohet katërcipërisht se kemi të bëjmë me vendin që sot quhet Dhërmí, sepse Cezari zbarkoi ushtarët në Paleste, që ndodhej në tokën e gërminëve (khs. tekstin: “Të nesërmen doli në breg. Ndërmjet shkëmbijve të maleve Keraune dhe të vendeve të tjera të rrezikshme, gjeti një gji të qetë dhe duke pasur frikë nga tërë limanet, që ai kujtonte se i kishin në dorë armiqtë, pa humbur asnjë anije, zbarkoi prej tyre ushtarët, në atë vend që quhet Paleste”).

Edhe emri Dhërmí gjen shpjegim nëpërmjet rregullave të fonetikës historike të shqipes, gjithsesi në përqasje të plotë me trajtën e përmendur te Cezari Germinii.           

Në serinë e guturaleve, për refleksin e palatalit ĝ pranohet një dh (lat. gener: shq. dhëndër). Rrjedhimisht Germ/in/-ii: Dhërm/in/.

Interpretimi i H. Cekës se në krahinën e Elbasanit dhe të Peqinit nuk bëhet dallim në shqiptimin e gh-së e dh-së, nuk na duket i qëlluar. Edhe në qoftë kështu, rastet duhet të jenë të rralla dhe dukuria nuk është e mbarë shqipes. Edhe ne kemi vënë re se pikërisht në krahinën e Dhërmisë (vetëm në një rast), d-ja zëvendësohet me g (Dizdari: Gizdari, llagap familjeje), por kjo është një dukuri që nuk mund të lidhet me atë të toponimit, aq më tepër kur kemi të bëjmë me procese të përfunduara shumë kohë më parë.

Te trajta germin- ne dallojmë prapashtesën e vjetër të emrave ilirë -in. Po të kishim një -ini origjinore, ajo do të përfundonte në -nj. Një ndër shenjat e vjetërsisë është rënia e n-së fundore, dukuri që nuk shfaqet ndër emrat me moshë të re (p.sh. Patin, Çipin etj.). Ky fakt ka bërë që trajta germí/n/ të shquhet për analogji si emrat e tjerë që mbarojnë me i të theksuar: Dhërmí-u. Po kështu grupi -rm- në trung të fjalës është ruajtur si i tillë (khs. zjarm, indoevrop. guherm-,  greq. thermós etj.).

Këto dukuri janë pjesë përbërëse të strukturës së gjuhës shqipe në zhvillimin e saj historik.

-Përfundimisht mund të themi se trajtat e sotme të emrave Himarë e Dhërmí zhvillohen gjatë kohëve sipas rregullave të fonetikës historike të shqipes. Kjo tregon, e njëherit vërteton, se këta emra kanë kaluar gjatë shekujve pandërmjetësisht nëpërmjet gojës së shqiptarëve. Një përfundim i tillë ka vlerë të madhe, po të kemi parasysh që sot në Himarë e në Dhërmí, krahas shqipes, gjatë këtyre shekujve të fundit është përhapur edhe greqishtja.

Profesor Doktor David Luka

No comments:

Post a Comment